Secondary Adv

Monitorimi i Co-PLAN ngre alarmin për cilësinë e ajrit, ujërave dhe ndotjen akustike në 6 qytete

Ndotja e ajrit, zhurma urbane dhe presionet mbi burimet ujore mbeten ndër problemet kryesore mjedisore që ndikojnë cilësinë e jetës në qytetet shqiptare.

Kështu thuhet në raportin e organizatës Co-PLAN në kuadër të projektit GreenAL, i cili analizon situatën mjedisore në disa nga qytetet kryesore të vendit dhe identifikon zonat me ekspozim të lartë ndaj ndotjes.

 

Monitorim në gjashtë qytete

Studimi përfshiu një rrjet të gjerë monitorimi në gjashtë bashki: Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier dhe Korçë. Gjatë vitit 2025 u monitoruan mbi 800 pika për cilësinë e ajrit dhe ndotjen akustike, ndërsa më shumë se 40 pika u përdorën për analizimin e cilësisë së ujit.

 

Në disa qytete rrjeti i matjeve arriti deri në 100 pika monitorimi për ajrin dhe zhurmën, duke krijuar një bazë të gjerë të dhënash për analizë dhe krahasim.

 

Trafiku dhe ndërtimet ndër burimet kryesore të ndotjes

Sipas raportit, ndotja e ajrit në zonat urbane lidhet kryesisht me trafikun rrugor, flotën e vjetër të automjeteve, aktivitetet e ndërtimit dhe përdorimin e karburanteve për ngrohje gjatë sezonit të dimrit. Në qytete me histori industriale si Elbasani dhe Fieri, presionet mjedisore lidhen edhe me aktivitetet industriale të trashëguara ose aktuale.

Monitorimi u fokusua në ndotësit kryesorë atmosferikë si PM2.5, PM10, NO₂, CO dhe CO₂, të cilët lidhen drejtpërdrejt me sëmundjet respiratore dhe kardiovaskulare.

 

Grimcat PM2.5 ndër rreziqet më të mëdha

Raporti thekson se grimcat e imta PM2.5 përbëjnë një nga rreziqet më serioze për shëndetin publik, pasi depërtojnë thellë në sistemin e frymëmarrjes.

 

Në nivel global, ndotja e ajrit lidhet me rreth 7.9 milion vdekje çdo vit, ndërsa rreth 36 për qind e popullsisë së botës është e ekspozuar ndaj niveleve të PM2.5 mbi pragun minimal referues prej 35 μg/m³.

 

Zhurma urbane dhe presioni mbi ujërat

Ndotja akustike është një tjetër problem i theksuar në qytetet shqiptare dhe lidhet kryesisht me trafikun, aktivitetet ekonomike dhe kantieret e ndërtimit. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmës së lartë mund të shkaktojë shqetësime të gjumit, stres kronik dhe probleme kardiovaskulare.

 

Raporti evidenton gjithashtu presione mbi trupat ujorë si Liqeni i Bovillës, Liqeni i Farkës, Liqeni Artificial i Tiranës, Liqeni i Shkodrës dhe Liqeni i Prespës së Madhe, si dhe mbi kanalet kulluese dhe segmentet e lumenjve.

Cilësia e ujërave ndikohet kryesisht nga shkarkimet urbane, rrjedhjet bujqësore dhe aktivitetet industriale, të cilat rrisin ngarkesën me nutrientë dhe ndotës.

 

Sfida në monitorimin institucional

Raporti vë në dukje se monitorimi institucional i ndotjes realizohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik, por sfidat lidhen me mbulimin territorial të rrjetit të monitorimit dhe transparencën e të dhënave në kohë reale.

 

Sipas analizës, monitorimet e realizuara nga organizatat e shoqërisë civile ndihmojnë në plotësimin e boshllëqeve të informacionit dhe në identifikimin e zonave me presion më të lartë mjedisor.

 

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat